Dyshimi për ndjenjat e saj i
lindi për herë të parë kur ajo i kishte thënë në telefon: “Për
ditëlindjen time ti nuk ndodheshe në qytet dhe unë fjeta... gjumë... me
bashkëshortin tim”.
Tregim i ri nga ERION SELMANI
– Ashtu he!? A të pëlqeu? - e kishte pyetur ai me ironi të përzier me dozë xhelozie.
Ai qe një njëzet vjeçar i dashuruar me femrën e jetës së tij... siç
po i dukej atij në gjashtë muajt e fundit. E dashuronte me gjithë
shpirt, paçka se e dinte se ajo histori nuk do të kishte të ardhme...
Qysh?! Fjeti me të shoqin sepse i dashuri sekret nuk ndodhej në qytet?
E ku qëndronte çudia se një grua flinte... me bashkëshortin?! Mbase
çudia e madhe qe se ajo e kishte prekur një temë për të cilën s’duhet ta
hapte gojën... pasi heshtja ndonëse të bluante përbrenda, të paktën nuk
të hapte plagë të reja.
Por lotët e saj qenë kthyer thuajse në kuje kur kohë më pas ajo
tentoi të hidhej midis shinave të trenit për të qenë e shtypur nga
treni, për t’u flijuar për dashurinë e tyre të pamundur, të paligjshme.
Ai e shtrëngoi fort dhe e tërhoqi dhunshëm duke e nxjerrë nga stacioni i
vogël periferik në jug të qytetit të madh gjerman. E pikërisht atje ajo
pa i ndërprerë lotët i kishte thënë
- Jam shtatzënë me ty pasi me burrin nuk kam fjetur qysh prej
datëlindjes para tre muajsh, kurse mjeku më tha se jam shtatzënë prej 6
javësh, domethënë është fëmija yt!......................VIJON


