11/07/12

Pusulla e nxehtë/ Tregim nga Erion Selmani

    Që pusulla e nxehtë do bënte namin, kjo ishte e padiskutueshme. Në dyshim të madh qenë ngjarjet që do vijonin, pas leximit të letrës nga drejtoresha.
Në kursin për patentën e lundrimit detar drejtoresha qe një grua me sharm të madh e njëkohësisht sundimtare, nga ato që të kallnin datën vetëm t’i shikoje në rrugë, pale të dilje me atë shëtitje në mbrëmje. Kishte të ngjarë që mbrëmja të kthehej në festë dashurie, po ky opsion i ëmbël mund të shndërrohej në llahtarë sikur ajo të ndërronte mendje e përveç ëmbëlsisë t’i shkonte mendja edhe për dajak… se siç u theksua drejtoresha e shkollës për patentën e lundrimit qe e aftë edhe të të thyente brinjët… Jo më kot burrat nuk i vardiseshin kurrë. Ata e shikonin, e shijonin me fantazinë e tyre e iknin të lemerisur. LEXOJE të gjithë tregimin... 


Prej vitesh ajo nuk merrte ftesa për darkë apo edhe në mbrëmjet e vallëzimit askush nuk i afrohej për ta ftuar në pistën e kërcimit. Burrat iknin nga sytë këmbët pasi ajo qe fort e bukur, me trup të skalitur e në të njëjtën kohë e frikshme, ngaqë karakteri i saj i fortë e bënte të ngjante të pamposhtur.
Djaloshi D.E e kishte qejf lundrimin me anije e po frekuentonte shkollën për të lundruar gjatë verës, të bëhej marinar edhe pse për drejtoreshën do të lypej ndonjë marins amerikan, si ata që stërviteshin egërsisht nëpër filma për t’u bërë marinsa të Shteteve të Bashkuara.
Kuptohej që drejtoresha qe nga ato gra që i rraskapiste si marinarët e thjeshtë po ashtu marinsat e shumë stërvitur.
Ajo u merrte shpirtin meshkujve në shtrat.., ose kështu ngjante në pamje të parë. Të vërtetën me saktësi nuk e njihte askush.
Atij i qe fiksuar keq drejtoresha e frikshme dhe madhështore. Ah sikur të kishte rast ta shtinte në dorë…
Ndaj ai i futi në çantë një letër të nxehtë, sepse D.E i arrinte në përgjithësi fitoret me fjalë të shumta. Fitore të cilat jo rrallë ktheheshin në disfata… po kjo qe jeta; sido që ta rrotulloje s’mundeshe të fitoje gjithmonë. Pa harruar se edhe disfata kishte rëndësinë e saj, biles edhe shije, ngaqë duke qenë e kundërta e fitores, qe e vlefshme për të pakësuar humbjet e ardhshme, pa krijuar shumë iluzione se do të shtoheshin sukseset, jo. Sukseset nuk shtoheshin për qamet!!!
Pak a shumë qenë në baraspeshë, si humbjet dhe fitoret, ndërsa një fitore ndaj drejtoreshës do të mund të quhej “Lavdi”, pasi vetë ajo qe një femër e “lavdishme”, ndryshe nga gjithçka prej asaj që mund të imagjinonte një mashkull.
Ai mezi po priste të nesërmen ku tek klubi i vogël në lulishte i kishte lënë takim. Nuk i dihej nëse ajo do të vinte pas leximit të pusullës dhe, në rast se do paraqitej në takim për kafe askush nuk mund të parashikonte nëse do ta përqafonte, ledhatonte apo do ta gjuante me shpulla, duke marrë në konsideratë edhe variantin më të frikshëm: ajo mund ta varte djaloshin në majë të ndonjë peme duke përfituar nga gjelbërimi i lulishtes. Ende s’dihej efekti i cicërimave të zogjve::-) Cicërimat po ashtu si fjalët e muzika bënin efekte të paparashikuara tek femrat, kështu që mund edhe të përmbysej çdo hipotezë se këtu bëhej llaf për një grua tjetërsoj, ku edhe teoremat, studimet e panumërta nuk hynin në punë.
Por D.E qe djalë me guxim të paparë. E dinte fort mirë se aty qëndronte krejt shija e jetës. Të mposhte të pamposhturën… Eh ç’kuptim do të kishte ta shtynte jetën me fitore të lehta… Edhe fitoret e lehta ndaj femrave e kishin velur, ndaj donte të vështirën, te rrezikshmen. Të paktën kësaj here donte ta bënte ndryshe, si asnjëherë më parë. Le të bëhej hataja. e në këtë përzgjedhje “tjetërsoj” ai kishte goditur në shenjë me drejtoreshën, e cila nuk hynte në asnjë kategori femrash. Ja se si rrodhën ngjarjet…
Pusulla e nxehtë
“Kurora e bukurisë vetëm ty të përket Drejtoresha ime! 
Po ti ja ke grabitur kurorën mbarë njerëzve për ta vendosur mbi krye, me stilin tënd si kryeneçe e paepur. Ti ke vendosur të më marrësh frymën sa herë që më ngul sytë. Janë ata sytë e tu ndërmjet të cilëve rregullohet e herë çrregullohet frymëmarrja ime dhe funksionon zemra ime, e cila është në varësi me shikimin tënd e ka lidhje me buzët e tua të trasha, pasi dihet se sa herë i lëviz buzët aq më fort rreh zemra ime…”
(Vijon…)
http://erisel10.blogspot.com

Nessun commento: