Komentet e djemve
nuk kishin të sosur e pasioni i tyre ngjante si zjarret gjatë stinës së verës,
kur sapo fikej një vatër zjarri, merrte flakë pylli tjetër...
Edlira i kishte quajtur me mendjen e saj
“Pylli i meshkujve” ato mesazhet e ftesat e panumërta të miqësisë on-line. Ajo
as që do ta kishte hapur më postën eletronike tek profili i saj në internet
sikur midis morisë të komenteve të mos spikaste një i panjohur i pazakonshëm.
Kur djemtë e tjerë
komentonin fotot e saj në plazh në mënyrën sikur do ta “mbysnin në det” ose do
t’i merrnin frymën... po t’u binte ndër
duar, i panjohuri... jo vetëm që nuk përzihej në atë lëmsh po edhe e ledhatonte
me fjalë. Në fakt ai “përkëdhelte” pamjen në foto, pozicionin e saj, shprehjen
e syve duke i bërë krahasime me figura mitologjike, ose me yje, ende të
pazbuluar... E kjo e bënte komentuesin
enigmatik tepër interesant për Edlirën.

I egzagjeruar, i veçantë dhe ka llafe të lezetshme, u kishte thënë më pas mikeshave. – Po pse mua nuk më
shkruan asnjëri kësi gjërash?! Hi,hi,hi Jepi dhe adresën e profilit tim! I kishte
thënë një shoqe buzagaz.
Edlira u kishte
treguar disa hollësira shoqeve; Ai nuk shton foto të vetat, nuk më nis foto në
privat, flet për gjithçka po jo për veten e tij. Kjo gjë e bën edhe të “urryer”
po edhe tundues. Jam kureshtare... dua ta njoh!...
VIJO LEXIMIN... lexoje të gjithë tregimin.....
Më shkruan në shqipen letrare
dhe s’para bën gabime drejtshkrimore, krejt ndryshe nga shumica e atyre që komentojnë fotografitë, me atë
gjuhën e keqshkruar: shatra/patra.
Ftesë për takim/e-mail
Edlira! Yjet
ndriçojnë çdo natë, e unë s’mund të pres përherë natën për të të kërkuar me sy
nëpër univers. Do të doja të të takoja gjatë ditës e jam i bindur se ti do i
bësh konkurrencë diellit me dritën e bukurisë tënde, me zjarrin e fshehtë që ke
brenda zemrës: madje më mirë të takohemi ndonjë ditë me shi, sepse do ta shijoj
më tepër shkëlqimin e syve të tu. Rrezikoj të verbohem nga bukuria jote, po kjo
s’më tremb. A dëshiron të njihemi nga afër?
Jetonin të dy në të
njëjtin qytet dhe kjo i pakësonte telashet që shkaktonte njohja në distancë.
Prej ditësh mendohej për atë takim e nuk i mbushej mendja ndonëse ja kishte
ëndja ta njihte atë...
Përgjigje e-mail
nga Edlira
Po mirë o miku im,
më shpjego pse duhet të njihem me ty, kur ftesat më arrijnë nga të gjitha anët,
kur e kam bezdi të dal shëtitje se më hedhin fjalë çunat përgjatë shëtitores. Kur
s’gjej rehat sa herë që shkoj në plazh se më hanë me sy “ujqërit”... A kupton? Jam e “mbytur” me propozime.....
Pse pikërisht ty ? Përse duhet ta pranoj takimin? Vetëm kaq më sqaro e më pas
do vendos...
Ai u përgjigj me
vrull dhe eufori.
Ke të drejtë Edlira!
Po me lejen tënde po shpreh mendimin tim duke të premtuar se do respektoj çdo
vendim që ti do marrësh. Arsyeja pse do të ishte mirë të takohemi mund të jetë
një, po ndoshta ka edhe njëmijë arsye për të mos u takuar. Pra ti mund të kesh
njëmijë arsye për të më refuzuar, dhe vetëm një për të më pranuar.
Kam vënë re se na
pëlqen të bisedojmë së bashku. Mirëkuptimi ynë, ëmbëlsia e karakterit e ndoshta
edukata njerëzore me të cilën shoqërohen bisedat tona on-line, janë disa motive
që na afrojnë. Në të njëjtën kohë nuk na largon asgjë. Jemi kaq pranë, në ide,
në shijet tona, madje në të njëjtin qytet. Përse mos të shihemi sy më sy si
njerëz të lirë, si dy të rinj që kanë interesa të përbashkëta e duke u njohur
nga afër, mund të lidhen shpirtërisht.
Ndërkaq do të bëj të ndihesh e
lirë, të bësh një përzgjedhje si të ta dojë ty zemra, ngaqë unë nuk sillem si
“ujqërit” që përmende. Eja të shihemi dhe merr sa kohë të duash për të
vendosur...
Po si nuk qenke
kurioze të më shohësh? Ku ta dish, ndoshta të pëlqej...?!
///\\\\
Edlira hyri në
qëndrën tregtare ku do takoheshin. E kishte menduar gjerë e gjatë vendin e
takimit dhe kishte zgjedhur një vend të tejmbushur me njerëz për të shmangur
ndonjë të papritur.. të papëlqyeshme. Nuk
i dihej kurrë se me kë bisedoje në internet... Gjithsesi s’i kishte thënë dot
“jo”. Ajo nuk duronte dot më pa lexuar mesazhet e tij, komentet e shumta të
fotove. I lexonte disa herë e i kujtonte herë pa here fjalët e tij. E nuhaste
që personi i komenteve kishte diçka të veçantë. E ndiente se kjo njohje mund
t’i ndryshonte mjaft gjëra të përditshmes se saj. Do të mund të lindte një histori
dashurie...? Nuk i dihej.
“unë kam bërë
dashuri me fjalët e tua” tha me vete ajo kur po i afrohej djalit tek vendi i takimit...
Ajo ngriu në vend
dhe shqyeu sytë. – Edlira, jam unë Rudi. Besoj se më mban mend. Si je me
shëndet?
Edlira nuk foli. E
shikoi me ankth, drojtje, e në çastet e fundit provoj mall. Sa kohë kishte
rrjedhur nga takimi i fundit.
-Rudi?! Po pse nuk
ma the në fillim që ishe kthyer? Ke dy muaj që më shkruan ndërmjet internetit?
Ata qëndronin të
palëvizur përballë njëri-tjetrit. Tetë vjet nga takimi i tyre i fundit. Kishin
qenë çift, të dashuruar në universitet po ai papritur ja kishte mbathur jashtë
shtetit në një kontinent të largët ashtu siç bënin shumë të tjerë...
-Të lutem Edlira më
dëgjo me vëmendje!- Pas kaq vitesh nuk e shihja të logjikshme të paraqitesha
përballë teje si ish i dashuri yt. Nuk pata kurajo të të dilja përballë sepse
ti nuk më përket, ti je e lirë e nuk më detyrohesh asgjë. Ai u mendua pak për të gjetur argumenta të
përshtatshëm dhe i tha:
E dija se me ty do
të lypej të rifilloja nga e para, të të vardisesha njëlloj si ata që nuk ke
njohur kurrë, sikur të mos kisha qenë kurrë i yti. Prandaj të kontaktova në
internet dhe të “ledhatova” me fjalët e mia me shpresën se do të rifitoja
simpatinë tënde e të me jepje mundësinë e takimit. Në të vërtetë komentet e mia
qenë veç grimca fjalësh, thërime të
papërfillshme të paafta për të përshkruar bukurinë tënde... shpirtërore.
Unë jam kthyer e
mbase historia jonë mund të rifilloi paçka se për këtë nevojitet shumë kohë. E
kuptoj që ti ke të drejtën tënde të mendohesh dhe të bësh zgjedhjen më të
përshtatshme, për veten tënde, pa u prekur nga nostalgjia për historinë tonë.
Dhe, nëse më lejon ta them; as andej nëpër botë s’kishte bukuroshe si ty. He,
he, he, Edlira buzëqeshi.
– Ti më braktise
Rudi... si mund të ta fal. Dakort se ashtu rrodhën ngjarjet e të gjithë çunat e
shumë goca provuan të iknin nga ky vend. Po ky fakt, se nuk jam e vetmja ndër
të braktisurat... nuk më ngushëllon. Vetë e the se jam ndryshe, jashtëtokësore
e të tjera broçkulla, me të cilat shkrihesha së qeshuri sa herë që m’i
shkruaje. Rudi! Ti s’ke të drejtë të
ikësh e të kthehesh kur të të dojë qejfi.
Ajo u mendua dhe i
tha: -Unë s’kam besim tek ty Rudi edhe pse dikur të desha si e çmendur. Ti ishe
i pari për mua, të dashuroja verbërisht. Ti u zhduke për tetë vite....
Rudi mbeti i
topitur. U prek nga fjalët e asaj. Iu lidh goja, nuk mund të mohonte asgjë.
Edlira thoshte të vërtetën. Ndarjet e çifteve të reja dhe familjeve për arsye mërgimi
qenë të panumërta, e kalonin vite derisa kryheshin ribashkimet e
familjeve... e kjo dihej tashmë nga të
gjithë. Ndihej fajtor ndaj Edlirës dhe e parashikonte se qe një “betejë” e
humbur. Ai s’kishte asnjë dëshirë ta
mashtronte... dhe nuk foli fare.
Shumë persona bënin
varavingo në qendrën tregtare, kurse ata të dy rrinin të ngrirë si dy shtatore.
-Më fal Edlira! Tha
ai syulur siç bëjnë djemtë e turpshëm e jo rrallë edhe fajtorët.
-O Rudi, për çfarë
më kërkon falje? Për ikjen tënde, për këtë ardhjen e beftë, apo për ato
komentet e fotografive të mia? Ti më bëre të ëndërroja... , mezi i prisja
mesazhet e tua, më merrte malli, pothuajse uria... për “ushqim” shpirtëror. Ku
i ke mësuar ti gjithë ato gjëra? Apo atje në atë kontinentin e arratisjes
tënde?
-Ah jo, Edlira! Për
komentet s’të kërkoj falje. Këtë ta heqësh nga mendja, sepse kur shkruaja
komente nuk gënjeja. Unë thjesht ngrita një “monument” me paragrafë për bukurinë
tënde. Duke qenë kështu, deri diku jam i shfajësuar për ikjen apo rikthimin
tim. Ndërkaq ti erdhe plot kurreshtje e
dëshirë për njohje në takim gjë e cila do të thotë se neve mund të marrim kohë,
për të shkrirë akullin e viteve të mungesës time. Edlira, mbase do të jetë më
mirë lidhja me mua që më njeh se kush jam, që më lexove e dëgjove se si flas, që
e di shumë mirë se si sillem, sesa një tjetër me të cilin mund të ndodhi për
fat të keq edhe ndryshe, që mos të kesh jetë të lumtur, të të tradhëtoj,
keqtrajtoj etj,. Të paktën me mua disa garanci i ke, edhepse nuk mjaftojnë
kurrë. Për mendimin tim do të ishte e vlefshme të frekuentohemi disa kohë e shohim
nëse midis nesh do të mund të rilindi një histori dashurie....
Ai rifitoi
pozicionin e tij si orator i paepur dhe kërkonte me shumë takt që ajo të bindej
për qëllimet e tij të sinqerta. Edlira e
dëgjonte pa i ndarë vështrimin zhbirues dhe
e ndjeu se Rudi i pëlqente shumë. Për
dreq ai kishte njëfarë avantazhi psikologjik ndaj saj. Ishte thuajse në epërsi
ndaj saj, meqë ishte i pari djalë me të cilin Edlira kishte fjetur...
I mirë apo i keq,
ai qe i pari fare... e detyrimisht i paharrueshëm. Paçka se i paharueshëm, nuk do të thoshte se qe i pazëvendësueshëm... Tashmë qe burrëruar e kishte marrë një
tjetër hije, më joshës se kurrë! Kur e kishte dashuruar si e marrë nuk e
imagjinonte dot jetën pa atë, dhe ja tani ai ndodhej sërisht përballë saj, afër
saj, po ajo ende se kishte prekur... e dëgjonte e përhumbur, deri diku e
mposhtur. Detajet e oratorit qenë të shumta. Dalëngadalë ai po fitonte terren e
nga goja i dilnin fjalë bindëse. Edlira po dorëzohej..., s’donte të dëgjonte
argumenta të tjera: Mjaft. Qenë sqaruar.
Ajo zbukuroi
shikimin, buzëqeshi, e provokoi me sy të ëmbël siç bëjnë gocat kur u pëlqen
djali. Po përpiqej të jepte pështypjen se qe dakort. Ai e kuptoi dhe përfitoi
menjëherë me shkathtësi vendimtare. Shkathtësia e reagimit, shpejtësia e të
menduarit shumë shpeh ndihmonin e jo rrallë shkatërronin.
-Kështu pra Edlira,
erdhi momenti më i lumtur i jetës time. Sapo lexova në sytë e tu magjepsës
fjalën; përqafim. Duket sikur thua:“Më përqafo”
-Ti Rudi i lexon
sytë sipas leverdisë tënde po je tejet i çuditshëm pasi shtove edhe fjalën
magjepse ha,ha,ha . Ty nuk të mjafton përqafimi po kur e lexon këtë fjalë e do
të shkruar në sy magjepsës. Jo sy dosido hi.hi,hi Qeshi edhe ai dhe me pak
frikë të përzier me padurim e përqafoi me ndjenjë
“Më paska marrë shumë
malli” mendoi Edlira gjatë përqafimit, e në të njëjtë kohë ai i mumuriti
– Më ke munguar
shumë!!
Ajo nuk iu
përgjigj. E shtrëngoi fort me krahët e saj atë që kishte qenë i dashuri i saj i
parë, çmenduria e parë, emocioni më i fuqishëm, plaga e madhe kur ai ishte
ikur. Gëzimi më i madh sepse ai qe kthyer...
Emigracioni ndonëse
i lodhi, i ndau njerëzit, nuk i shkatërroi të gjitha dashuritë. Kur qe e
shkruar nga perëndia, dashuritë triumfonin..., pas shumë peripecish ose me shumë vonesë...
Nga Erion Selmani
Nessun commento:
Posta un commento