31/10/10

Tregim i ri / Fragment

Meqënëse tregimi i ri është pak i gjatë. Do ta sjell këtu pjesë-pjesë. Ja një fragment i shkurtër që përzgjova për ju.

Lexim të këndshëm!
Kështjella e të dashuruarve
-Ju shkruani edhe poezi dashurie.A mund të më thoni; Sa dashuri mund të përmbaj kjo kështjellë e vogël?- e kishte pyetur ajo gjatë drekës pa ua ndarë sytë duarve të tij kur ai prekte gotën e verës apo pirunin e thikën. “paska duart e buta si ai që shkruan, ose ai pianisti i orkestrës me gishta të hollë dhe të gjatë”. Ky ishte mendimi që e përshkoi ndërsa priste përgjigjen. Ajo kishte pasur gjithmonë dobësi thuajse mahnitje për duart e meshkujve.

-Nëse më lejoni do të thoshja se ky është i vetmi vend në botë ku mund të lexohet një poezi e gjallë. Natyra përreth, e pjesëtuar nga bedenat që fshehin disa pamje, ashtu siç fshehin njerëzit pjesët intime; rrugicat që duken e përdredhura si përdredhjet e mbase përkëdheljet e çifteve në shtrat.
Bukuria e fustanit tuaj të kuq që po e shoqëroni me buzëqeshjen, janë elementët më të çmuar për të krijuar vargje të panumërta, e të gjitha keto së bashku, janë i vetmi Koktej i parealizuar deri më sot nga të tjerët. Sepse ju jeni Princesha e cila keni misionin të krijoni një Oaz dashurie, në mes të gjithë kësaj bote, apo si ta quaj ndryshe: shkretëtirë e urrejtjes. Në mes të shkretëtirës së urrejtjes, zilisë, komploteve, hakmarjes e gjakderdhjes, persekutimit e dhunës, ju do të krijoni një oaz unikal.
Nuk them Eden, por si të them: Vetëm dy hapa larg kopshtit të Edenit, thënë ndryshe; pragun e parajsës. Atë parajsë që vetëm dashuria na jep me kënaqësinë e saj, apo me iluzionin se e kemi tejkaluar, kaluar kufirin, ndofta edhe kapërcyer ylberin.- poeti i ri as vetë s'kuptonte se ku i gjente fjalët.
Karolina s’kishte pasur guxim të bënte pyetje të tjera dhe sikur të donte të ndërronte bisedën urdhëronte kamerierin të sillte ëmbëlsirat.

 nga Erion Selmani
p.s së shpejti tregimi i plotë. Le të shohim... ende s'jam gati.

Nessun commento: